Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rhode, ka reaguar pas vrasjes së trefishtë që ka ndodhur të premten në Gllogjan të Deçanit, ku të vrarë kanë mbetur tre persona, shoferi i një autobusi dhe dy nxënës.
Rohde nëpërmjet një shkrimi ka kërkuar që autorët të dërgohen para drejtësisë.
“I shokuar nga ky sulm i dhunshëm në autobusin e nxënësve. Autorët duhet të sillen para drejtësisë. Ngushëllimet më të thella për familjet dhe shokët. U dëshiroj shërim të shpejt të lënduarve”, ka shkruar ambasadori gjerman.
Ndryshe, mbrëmë rreth orës 19:00 është sulmuar me armë zjarri një autobus në Gllogjan të Deçanit, ku të vrarë kanë mbetur tre persona, shoferi dhe dy nxënës.
Autori i krimit ka qenë i maskuar, ndërkohë Policia është në kërkim të tij.
Policia përmes raportit 24 orësh, ka njoftuar se autobusi është sulmuar me armë zjarri që dyshohet të jetë AK-47.
“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Telegrafi/