Telegrafi

Ambasadori norvegjez: Një dialog i suksesshëm është në interesin e Kosovës  

Ambasadori norvegjez në Kosovë, Per Strand Sjaastad, ka thënë se jo të gjitha partitë politike duhet të jenë pjesë e dialogut shtetëror, por siç tha ai duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive.

Këtë deklaratë ambasadori norvegjez e tha në një konferencë me temën “Zëri i Popullit rreth ‘Finales së Madhe’ ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, e organizuar nga Instituti Kërkimor për Çështje Evropiane dhe të Zhvillimit (RIDEA).

Sipas tij, një dialog i suksesshëm është në interesin kombëtar të Kosovës.

Ambasadori tha se në një hulumtim të bërë nga RIDEA me qytetarët e vendit, shumica e tyre e mbështesin dialogun Kosovë-Serbi, raporton Telegrafi.

“RIDEA  e ka bërë një hulumtim me qytetarët e zakonshëm, ku do të jetë si pikë referuese e dialogut. Shumica e qytetarëve të Kosovës e mbështesin dialogun. Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë pasi ka qëndruar në pritje më shumë se një vit për momentin, po bëhet më e vështirë që të ketë një progres. Kosova duhet që të ketë më shumë konsensus në dialog me Serbinë. Institucionet shtetërore duhet të kenë më shumë mbështetje për dialogun. Jo të gjitha partitë politike duhet të jenë pjesë e dialogut shtetërore, por duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive. Besoj që ky sondazh do të jetë i dobishëm për debate dhe bisedime në dialogun me Serbinë”, ka thënë ai. /Telegrafi/