Telegrafi

Ambasadori i BE-së në Beograd: Raundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi ishte më i vështiri

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi, është element kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Fabrizi, duke folur për televizionin publik serb, potencoi se kushtet që Brukseli ia ka vënë Serbisë janë konstante dhe nuk ndryshojnë.

“Raundi i fundit i dialogut mund të ketë qenë ‘më i vështiri nga të gjitha ato të vështirat’. Të dy palët duhet t’i përkushtohen [dialogut]. Dialogu është një element kryesor për stabilitetin rajonal dhe pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Ekziston një interes i madh që dialogu të ketë sukses, kurse  BE është duke bërë më të mirën që kjo të realizohet”, tha Fabrizi, transmeton Telegrafi.

“Dihet se për çfarë bëhet fjalë – dialogu me  Kosovën, sundimi i ligjit, reformat ekonomike, prokurimet publike, subvencionet, ndihma shtetërore janë gjëra për të cilat duhet punuar. Vendet anëtare thanë në konferencën ndërqeveritare se ende nuk ka hapje të grupeve të reja, por që gjërat po lëvizin në një drejtim pozitiv”, shpjegon Fabrizi.

Ai gjithashtu foli për rëndësinë e të ashtuquajturit ‘Mini-Shengen’.

“Procesi i anëtarësimit në BE lehtëson shumë mundësinë që Brukseli të merret me të gjithë zonën e Ballkanit Perëndimor dhe që gjithçka të jetë në përputhje me standardet evropiane”, thotë Fabrizi. /Telegrafi/