Romina Radonshiqi, shtetase e Shqipërisë, solli në jetë fëmijën e saj të parë, të hënën në Spitalin Rajonal të Pejës. Gjendjen e saj dhe të foshnjës e pa nga afër ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi. Ai u shpreh falënderues ndaj kosovarëve dhe stafit të Spitalit në Pejë.
Tragjedia e tërmetit në Durrës, e solli Romina Radonshiqin në qytetin e Pejës.
Ajo të hënën solli në jetë foshnjën e saj në Spitalin Rajonal të Pejës. E me qëllim që të njoftohet me gjendjen e pacientes, atë e vizitoi ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi.
Ai falënderoi stafin i cili në mënyrë profesionale e bënë punën e tyre.
“Një bashkëkombëse, më e reja e shqiptarisë ka lindur në këtë spital në kushtet më të mira dhe kujdes të jashtëzakonshëm. Vetëm fjalë falënderuese për mjekët dhe gjithë personelin që punon këtu…Takova edhe profesoreshën e nderuar Romina, që jep mësim në Durrës. Edhe ajo shpreh të gjitha konsideratat për Spitalin e Pejës”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Qemal Minxhozi.
Edhe bashkëshorti i Rominës u shpreh tejet i kënaqur me pritjen që i është bërë në Kosovë e po ashtu edhe trajtimi në spital, përcjell Telegrafi.
“Erdhëm nga zona e tërmetit për të pushuar dy-tre ditë. Gjetëm qytetin më të bukur dhe u stabilizuam në Pejë. Nuses i erdhën dhimbjet e lindjes pak para kohe, por stafi mjekësor ishte perfekt dhe Peja po ashtu perfekt”, shprehet bashkëshorti i Rominës që ka lindur një bebe në Spitalin e Pejës.
Për ta konfirmuar gjendjen e pacientes dhe të foshnjës, shefi i Repartit të Gjinekologjisë Simoni Loxha, tha se të dyja gëzojnë shëndet të plotë.
“Ka lindur një vajzë me një peshë 2 kg e 40 gram me një gjatësi 47 centimetra. Gjendja e të sapolindurës është stabile, e po ashtu edhe nëna e saj gëzon shëndet të mirë”, deklaroi Simoni Loxha.
Përndryshe, edhe një tjetër shtetase e Shqipërisë është duke u mbajtur në repartin gjinekologjik në spitalin e Pejës./RTV Dukagjini/Telegrafi/