Megjithëse ka një progres në realizimin e marrëveshjeve Kosovë-Shqipëri, ende shfaqen pengesa për bizneset, të cilat nuk rregullohen me këto marrëveshje. Tarifa 100 për qind nuk pati ndikim pozitiv për prodhuesit shqiptarë, derisa Shqipëria është shteti i dytë pas Serbisë që aplikon barriera tarifore dhe jo-tarifore ndaj Kosovës.
Kështu u tha në tryezën e diskutimit me temën “Potenciali tregtar Kosovë-Shqipëri: Barrierat tregtare dhe zbatimi i marrëveshjeve bilaterale”, të organizuar nga Instituti GAP dhe Riinvest.
Por lidhur me këtë, ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi thotë se kjo nuk qëndron, pasi sipas tij, është rritur shkëmbimi tregtar ndërmjet të dyja vendeve.
Ai në një prononcim për Telegrafin, thotë se Shqipëria është partneri kryesor i Kosovë në shkëmbimet tregtare.
“Ajo se çfarë është e rëndësishme ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka një rritje të ndërsjellët. Natyrisht që ka barriera, por kjo nuk qëndron, pasi Shqipëria eksporton në Kosovë më shumë se çdo vend tjetër. Prandaj në këtë plan nuk mund ta pranojmë se ka më shumë barriera ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Pra, Shqipëria është partneriteti kryesor i Kosovës në përqindje nga të gjitha vendet e rajonit dhe ne po luftojmë që ta lehtësojmë edhe më tepër dhe të ketë më tepër shkëmbime”, tha Minxhozi.
Sipas të dhënave të fundit për tregtinë e jashtme të prezantuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, eksporti i mallrave nga vendi ynë në drejtim të Shqipërisë përbën 13 për qind të vlerës së eksporteve, ndërsa importi përbën 4.8 për qind të vlerës.
Instituti GAP dhe Riinvest në këtë studim kanë bërë vlerësimin e shkallës së zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara tregtare nga Kosova dhe Shqipëria.
Ky studim përmban një vlerësim të potencialit tregtar mes Kosovës dhe Shqipërisë si dhe identifikimin e barrierave tregtare të cilat po e pamundësojnë shfrytëzimin e këtij potenciali.
Në mënyrë që të shfrytëzohet potenciali ekonomik për shkëmbime tregtare mes dyja vendeve, në këtë raport janë dhënë një sërë rekomandimesh. Ku, si parakusht për rritje të mëtutjeshme të shkëmbimeve të mallrave mes dy vendeve duhet të jetë prioritet forcimi i sundimit të ligjit, rritja e kapaciteteve institucionale dhe ulja e pengesave burokratike.