Republika e Kosovës ka bërë edhe një shtrirje të re diplomatike në Evropë me hapjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës edhe në një shtet të rëndësishëm në Evropë, i cili është anëtarë i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, Republikën portugeze.
Ambasador i Kosovës në Portugali u zgjodh Ylber Kryeziu, i cili tashmë ka marrë detyrën.
“Miq të dashur, ceremonia e dorëzimit të letrave kredenciale Presidentit Marcelo paraqet momentin më solemn të arritjeve të mia në këto dhjetë vitet e shërbimit tim në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Intonimi i Himnit të Kosovës nga Garda Kombëtare, më bëri krenar për vendin të cilit i përkas duke më dhuruar njëherësh përjetimin më emocional në jetën time, mendoj do të jetë edhe i papërsëritshëm për mua. Falënderoj Krerët e Shtetit që më dhanë mundësinë dhe besimin për të shërbyer si Ambasador i parë rezident i Republikës së Kosovës në Portugali”, ka thënë Kryeziu.
I njëjti është shquar edhe për veshjen e tij elegante gjatë dekretimit.
Ai ka besuar dukjen e tij stilistes kosovare, Diba Celina, e cila ka punuar me kujdes dhe përkushtim në kostumin që do t’i përshtatej rrethanave në të cilat ai u prezantua.
Veshja e tij ishte e punuar në detaje, ndërsa bishti i kostumit i lëshuar prapa, përshtatej shumë me stilin klasik që rëndom është kulturë në shtetin portugez.
Celina është një nga stilistet e cila edhe më parë ka rënë në sy për kujdesin dhe dukjen ndaj disa prej politikanëve kosovarë. /Telegrafi/