Ambasadori i Kosovës në Vjenë, Sami Ukelli, ka thënë se deri më tani nuk ka informacione nëse ka qytetarë të Kosovës të përfshirë në sulmin që ndodhi në tregun e Krishtlindjeve në Berlin.
I ftuar në emisionin Ora e Fundit në Klan Kosova, Ukelli tha se linjat janë të hapura dhe se çdo gjë po përcillet me vëmendje, njofton Klan Kosova.
“Kalon një kohë derisa të dalin të gjitha informacionet në lidhje me krejt atë çfarë ndodhi në tregun e Krishtlindjeve në Berlin”.
“Ajo është qendra më e frekuentuar e Berlinit”.
“Kjo është një ngjarje identike me atë të Nisës që ndodhi para një kohe kur kamioni u fut në një zonë turistike duke vrarë shumë njerëz”.
“Unë besoj se autoritetet gjermane shumë shpejt të dalin me informata më të hollësishme”.
Ndërsa në lidhje me vrasjen e ambasadorit rus Andrey Karlov, në Turqi, Ukelli tha se ishte një ngjarje shokuese.
“Është një ngjarje shumë shokuese sidomos pamjet ishin vërtetë shokuese, kjo është një gjë shumë e rëndë sidomos për ne si diplomat sepse mund t’i ndodh secilit prej nesh”.
“Kohëve të fundit po shpeshtohen situatat e tilla, ne duhet të jemi më të kujdesshëm sidomos kur ka më shumë njerëz”.
“Rusia mund të kërkoj llogari nga Turqia se si ka mundur të ndodh një gjë e tillë, por se besoj se do të ketë një përkeqësim në mes të dy shteteve”. /klankosova/