Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli ka reaguar pas tërmetit që ka goditur edhe sot Kroacinë, duke ftuar të gjithë bashkëatdhetarët që për raste urgjente të lajmërohen në numrin e Ambasadës.
Kasapolli përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nuk ka të dhëna për të lënduar në mesin e bashkëatdhetarëve në Kroaci.
“Një tërmet tjetër i fuqishëm 6.4 shkalle te Rihterit e goditi sot Kroacinë Epiqendra e tërmetit ishte në Petrinje, 44 kilometra larg Zagrebit dhe është ndjerë edhe në shtetet fqinje. Deri me tash raportohet për një viktimë, vajzë e vogël, shumë të tjerë të lënduar dhe dëme të mëdha materiale. Për momentin, nuk kemi të dhëna për të lënduar bashkatdhetarë tanë në Kroaci. Ju bëjme thirrje bashkatdhetarëve tanë për raste urgjente të lajmërohen në numrin emergjent të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Kroaci +385916037343”, shkruan Kasapolli.
Një tërmet i fortë që goditi Kroacinë me magnitudë 6.2 kishte epiqendrën afër Petrinja, por ai u ndie fuqishëm në të gjithë vendin.
Dhe sipas mediave kroate, përcjell Telegrafi, skenat e para nga Petrinja janë të frikshme – ka shumë shkatërrime – dëgjohen britma dhe ka të plagosur si dhe të vdekur.
Siç bëhet e ditur më tej, një fëmijë gjeti vdekjen në Petrinja, konfirmoi kryetari Darinko Dumboviq. Bëhet fjalë për një vajzë 12-vjeçare. /Telegrafi/