Site icon Telegrafi

Ambasadori Kosnett kërkon edhe shkarkimin e Rrustem Mustafës

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett ka kërkua shkarkimin nga detyra e këshilltarit të presidentit Thaçi, Rrustem Mustafën.

Përmes një shkrimi në Twitter, ndonëse nuk e ka përmendur me emër, Kosnett ka shkruar se shkarkimi do të dëshmonte respektim të sundimit të ligjit.

“I inkurajuar të shoh që disa të dënuar po shkarkohen nga pozitat- kjo duhet të bëhet procedurë standarde për qeverinë. I kënaqur që shoh që mediat po flasin për një të dënuar për krime lufte të emëruar… shkarkimi do të dëshmonte respektim të sundimit të ligjit”, ka shkruar Kosnett në Twiterr.

Ndryshe, reagimi i ambasadorit erdhi pasi një raport i publikuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit e Kosovës zbuloi se Rrustem Mustafa, i cili u dënua për krime lufte në vitin 2013, është punësuar nga presidenti Hashim Thaçi që prej muajit shkurt.

Më herët, Kosnett, gjithashtu kishte kundërshtuar emërimin e Sylejman Selimit, si këshilltar politik i kryeministrit Haradinaj.

Ndërkaq të martën, kryeministri e liroi nga posti si këshilltar politik Sylejman Selimin, ish-komandant i UÇK-së i cili u dënua për krime lufte.

Lidhur me emërimin e Selimit, pati reagime edhe nga aleatët perëndimorë të Kosovës./Telegrafi/

Exit mobile version