Ambasadori i Republikës së Kosovës, Sabri Kiçmari i ka dorëzuar letrën kredenciale Presidentit të Republikës së Vanuatus, Obed Moses Talles, përmes të cilës ai është akredituar si Ambasador jorezident në këtë shtet.
Në fjalën e tij në aktin e dorëzimit të letrës krendenciale, ambasadori Kiçmari i ka përcjellë përshëndetjet e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për presidentin Talles, duke e falënderuar për mbështetjen që Republika e Vanuatus i ka dhënë Kosovës, përmes njohjes në vitin 2010 dhe duke votuar pro pranimit të Kosovës në UNESCO në vitin 2015.
Ndër të tjera, ambasadori Kiçmari ka deklaruar se edhe pse dy vendet gjenden larg njëri-tjetrit në rrafshin gjeografik, ndajnë vlera të përbashkëta për paqen, bashkëpunimin dhe mirëqenien në botë.
Presidenti Moses Tallis i ka shprehur një mirëseardhje ambasadorit Kiçmari në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Vanuatus, duke e falënderuar për angazhimin e tij për thellimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve, ai ka deklaruar se “Republika e Vanuatus do të jetë në mbështetje të integrimit të Republikës së Kosovës në organizatat dhe strukturat ndërkombëtare”.
Të njëjtë ditë me ambasadorin Kiçmari është akredituar edhe ambasadorja e Gjermanisë, rezidente në Canberra të Australisë.
Gjatë vizitës së tij në Port Vila Ambasadori Kiçmari pritet të zhvillojë takime edhe me kryeministrin në detyrë, ministrin e Jashtëm dhe dekanin e Korit Diplomatik në Port Vila./Telegrafi/