Ambasadori i Italisë në Prishtinë, Nicola Orlando, ka kërkuar sot nga partitë politike që të veprojnë në mënyrë konstruktive për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, duke përkujtuar se e ardhmja e Kosovës varet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dhe se një gjë të tillë e meriton populli i saj.
“Të gjithë akterët duhet të veprojnë në mënyrë konstruktive dhe në përputhje me ligjin, duke zëvendësuar gjuhën inflamatore me një bashkëpunim të pjekur dhe një debat të informuar mbi politikat. E ardhmja e vendit varet nga zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Populli i Kosovës i meriton ato”, ka shkruar ai në Twitter.
🔵 All actors must act constructively & in accordance w/the law, replacing inflammatory language with mature cooperation & an informed debate on policy.
The future of the country depends on free & fair elections. The people of #Kosovo deserve them.
🇮🇹🇪🇺🇽🇰 https://t.co/2eDgZt6uzh
— Nicola Orlando (@nicolaorlando) January 25, 2021
Ndryshe, ambasadorët e vendeve të QUINT-it sot kanë bërë thirrje për qetësi dhe kanë kërkuar që të gjitha palët e përfshira në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë, t’i ndjekin rrugët ligjore për apelimin e vendimeve të fundit të marra në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, sa i përket certifikimit të kandidatëve për deputetë.
“U bëjmë thirrje të gjithëve që të përmbahen nga sulmet personale nxitëse dhe spekulative”, thuhet në deklaratën e shefave të misioneve të Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë në Kosovë.
Ambasadorët e Quint-it kanë thënë se të hënën janë takuar me kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, dhe se në këtë takim kanë shprehur planet e tyre për të monitoruar zgjedhjet e 14 shkurtit.
“Derisa pandemia ka krijuar sfida shtesë, jemi të sigurt në aftësinë e KQZ-së për t’i mbikëqyrur zgjedhjet”, thuhet në deklaratën e vendeve të QUINT-it.
“E theksuam që KQZ-ja duhet të kujdeset që procesi zgjedhor është transparent dhe i pazënë nga ndërhyrjet politike”, thuhet në deklaratë.
Ky reagim i Quint-it vjen disa ditë pasi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nuk janë certifikuar listat e kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate. /Telegrafi/