Telegrafi

Ambasadori Isufaj homazhe te varret e vëllezërve Bytyqi, vlerëson edhe kontributin e shoqatës “Vatra”

Në kuadër të takimeve me përfaqësues të komunitetit shqiptar në Nju-Jork, ambasadori Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në New York, ka vizituar Federatën PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, me ç’rast zhvilloi një takim me kryetarin  Elmi Berisha, dhe me përfaqësues të tjerë të kësaj shoqate.

Po ashtu, ai ka bashkë me prindërit e heronjve të Kosovës, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, dhe i shoqëruar nga bashkëluftëtarët e tyre të “Batalionit Atlantiku”, ka bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së vëllezërve Bytyqi.

Gjatë vizitës  në Federatën PanShqiptare të Amerikës “Vatra”, Ambasadori Isufaj tha se ndjehet i nderuar të takojë përfaqësuesit e devotshëm që kontribuuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës ndër dekada.

Ai vlerësoj edhe kontributin e shoqatës “Vatra”, dhe të përfaqësuesve shqiptarë në New York.

“Jemi mirënjohës dhe krenarë me diasporën tonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ju keni qenë dhe vazhdoni të jeni zëri më i fuqishëm i Kosovës. Falë punës dhe angazhimit tuaj, çështja e Kosovës është sensibilizuar dhe ka arritur mbështetjen e aleatëve më të rëndësishëm në momentet vendimtare”.

Ndërkaq, kryetari i  shoqatës “Vatra”,  Elmi Berisha, mirëpriti vizitën e ambasadorit Isufaj dhe të diplomates Albesjana Iberhysaj në “Vatra”.

“Federata PanShqiptare e Amerikës ‘Vatra’, nuk është, thjesht, një organizatë, por një institucion patriotik dhe atdhetar që ka punuar pareshtur për interesat e kombit shqiptar”, tha kryetari Elmi Berisha.

Ndërkaq, ambasadori Isufaj dhe Berisha u dakorduan për thellim të bashkëpunimit, me qëllim të mbrojtjes së interesave dhe të përfaqësimit me dinjitet të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Isufaj bashkë me prindërit e heronjve të Kosovës, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, shoqëruar nga bashkëluftëtarët e tyre të “Batalionit Atlantiku” dhe nga diplomatët e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Nju-Jork, kanë bërë homazhe në nderim të jetës dhe veprës së vëllezërve Bytyqi, ku shprehën respektin e thellë për sakrificën e tyre për lirinë e Kosovës.

“Vëllezërit Bytyqi, bashkë me shumë bijë e bija tona, lanë mirëqenien që u ofronte Amerika për t’i dalë zot atdheut dhe popullit të vet në ditët më të vështira të tij. Lavdi e përjetshme për Yllin, Agronin, Mehmetin dhe për të gjithë dëshmorët e kombit”, tha ai, duke shtuar se ata që ranë për Kosovën dhe lirinë shqiptare kanë dhënë gjithçka.

Megjithatë, prindërit e heronjve të Kosovës, Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyqi, falënderuan, thanë se ishte nder për familjen Bytyqi, bashkëluftëtarët, shtetin e Kosovës dhe shqiptaro-amerikanët, vizita dhe homazhet e ambasadorit Frymëzim Isufaj, Konsull i Përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Nju-Jork, bashkë me diplomatëve të tjerë. /Telegrafi/Lumturije BEKAJ/