Telegrafi

Ambasadori gjerman, Rohde: U fituan zemrat dhe mendjet në Asamble – Kosova duhet t’i bindë ministrat me veprime

Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jörn Rohde, ka përshëndetur vendimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës(KiE), që ka votuar pro që Kosova të vazhdoj rrugëtimin edhe më tej drejt anëtarësimit në KiE.

Rohde ka thënë se u fituan zemrat dhe mendjet në Asamblenë Parlamentare, por pastaj ka thënë se tani Kosova duhet t’i bindë ministrat me veprime.

“Duke fituar zemra dhe mendje në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës: Aplikimi për anëtarësim i Kosovës fitoi pothuajse 80% të votave. Tani vjen pesha e rëndë për të siguruar shumicën e nevojshme 2/3 në Komitetin e Ministrave në maj, Kosova duhet të bëjë atë që duhet për të bindur me meritë dhe veprime”, ka shkruar Rohde në rrjetin social “X”, transmeton Telegrafi.

Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti të martën anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.

Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratua.

Çështja tashmë kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës.

Krerët shtetërorë të Kosovësmirëpritën vendimin e Asamblesë Parlamentare, duke e cilësuar si dëshmi të përkushtimit të shtetit për demokraci. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u shpreh optimist për një vendim pozitiv në Këshillin e Ministrave në maj. /Telegrafi/