Site icon Telegrafi

Ambasadori gjerman pas Marrëveshjes për Energjinë: Lajm shumë i mirë, nevojitet zbatim i shpejtë

Foto: Arkiv

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar pas arritjes së Marrëveshes për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Rohde me anë të një shkrimi në Twitter duke e quajtur këtë një lajm të mirë, ka theksuar se pas kësaj nevojitet zbatimi i shpejtë i Marrëveshjes.

“Vërtet një lajm shumë i mirë! Përgëzime për palët pjesëmarrëse dhe veçanërisht për Miroslav Lajcak për përpjekjet e tij të vazhdueshme për të ofruar kompromis. Ajo që nevojitet tani është zbatimi i shpejtë siç parashikohet në udhërrëfyes”, ka theksuar Rohde, shkruan Telegrafi.

Ndërsa, sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane Steffen Hebestreit, ky vend i mbështet plotësisht hapat e ardhshëm drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Urime kryenegociatorët e Serbisë dhe Kosovës dhe Miroslav Lajčák! Siç ka nënvizuar kancelari Olaf Scholz gjatë udhëtimit të tij të fundit në rajon: Gjermania mbështet plotësisht hapat e ardhshëm drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në reagimin e Hebestreitit.

Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar Marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së. Sipas kushteve, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do t’i lëshoj licence Elektroseverit.

Lexo po ashtu Vjen reagimi nga Gjermania pas Marrëveshjes së arritur për Energjinë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet”, e që konsiderohet kompani ilegale.

Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. /Telegrafi/

Exit mobile version