Site icon Telegrafi

Ambasadori gjerman në Beograd: Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje të qëndrueshme

Ambasadori gjerman në Beograd, Thomas Schieb, duke folur për mundësinë e arritjes së një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë në një të ardhme të afërt, ka vlerësuar se “fatkeqësisht situata aktuale mes dy vendeve është e tensionuar”.

Diplomati gjerman në Serbi, në një intervistë për të përditshmen beogradase “Danas”,  ka thënë se është e rëndësishme që të dyja palët [Kosova dhe Serbia] të kontribuojnë të mos eskalojë situata dhe të rifillojnë bisedimet.

“Megjithëse ndoshta mund të duket se dialogu midis presidentëve Vuçiq dhe Thaçi është  në një qorrsokak, besoj se është i mundur dakordimi për një marrëveshje për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas mendimit tim, është e rëndësishme tani që të dyja palët të përqendrohen në çështjet thelbësore që janë të rëndësishme për përmirësimin e jetës së njerëzve në Kosovë dhe Serbi”, tha ambasadori gjerman, përcjell Telegrafi.

Ai tha se “duhet të flitet hapur për mendime të ndryshme dhe në fund të gjenden zgjidhje”.

“Shumë më e rëndësishme sesa vetë shpejtësia është që marrëveshja përfundimtare të jetë e qëndrueshme, dhe të ekzistojnë kushtet për zbatim dhe ta pranojnë të gjithë pjesëmarrësit”, tha ambasadori gjerman./Telegrafi/

Exit mobile version