Telegrafi

Ambasadori gjerman në Beograd: Çështja e Kosovës duhet të zgjidhet përpara se Serbia të bëhet anëtare e BE-së

Ambasadori gjerman në Serbi, Thomas Schieb, deklaroi sot se ka përshtypjen se imazhi i Bashkimit Evropian nuk është aq pozitiv në Serbi.

Gjithsesi, sipas tij, Serbia duhet të bëhet anëtare e Bashkimit.

“Sigurisht që mund të përfitojë nga ato që BE ka për të ofruar. Ne duhet të punojmë për të bashkëpunuar në mënyrë konstruktive”, ka thënë ai për mediat serbe.

Ai ka folur edhe rreth marrëdhënieve Kosovë-Serbi, përcjell Telegrafi.

Në këtë drejtim ai ka thënë se kjo çështje duhet të zgjidhet para se Serbia të bëhet anëtare e BE-së.

“Sundimi i ligjit vendos gjithashtu shpejtësinë me të cilën Serbia po i afrohet BE-së. Kosova nuk është çështja e vetme, ka shumë tema të tjera teknike. Serbia është në mes të këtij procesi. Por po, normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës është i nevojshëm. Ekziston një proces negociatash, Miroslav Lajcak po e udhëheq atë në emër të BE dhe qëllimi është që të dy palët të bien dakord mbi një marrëveshje të plotë që do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura”, citohet të ketë thënë ambasadori Schieb. /Telegrafi/