Site icon Telegrafi

Ambasadori finlandez: Masat e BE-së ndaj Kosovës duhet të hiqen

Ambasadori i Finlandës në Kosovë, Matti Nissinen, ka deklaruar se masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës nuk janë të nevojshme dhe duhet të largohen.

“Vendi im për një kohë të gjatë ka thënë se duhet të largojmë masat. Ne nuk shohim nevojë për to, dhe bazuar në përfundimet e Këshillit për zgjerim në fund të vitit të kaluar, BE-ja dhe vendet anëtare janë pajtuar se do të ketë largim gradual të këtyre masave. Dhe mendoj që kjo është rruga e duhur drejt largimit të tyre,” u shpreh ambasadori Nissinen gjatë një interviste për Tëvë1.

Nissinen theksoi rëndësinë e unitetit mes shteteve anëtare të BE-së për të arritur vendime të qëndrueshme, duke shtuar se derisa nuk arrihet një pajtim i tillë, vendimmarrja mbetet e pamundur.

“Kam goxha përvojë në punët e BE-së dhe mund të them se vendimmarrja ndonjëherë mund të jetë e ngadaltë. Por thelbi në çështjet e jashtme dhe ato të zgjerimit është uniteti. Derisa të gjitha shtetet të bien dakord, nuk do të ketë vendim,” shtoi ai.

Ambasadori theksoi se në mandatin e ardhshëm të Komisionit Evropian, duhet të ketë prioritete të qarta, sidomos për politikat globale dhe marrëdhëniet me vendet kandidate për anëtarësim në BE.

Masat ndëshkuese ndaj Kosovës u vendosën në vitin 2023, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit. BE-ja argumentoi se Qeveria e Kosovës nuk kishte ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës. Ndërkohë, autoritetet e Kosovës deklarojnë se kanë plotësuar të gjitha kërkesat dhe i konsiderojnë masat të padrejta.

Exit mobile version