Site icon Telegrafi

Ambasadori Delawie ofron mbështetje për fondin e ri amerikan

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, njëherësh udhëheqës i ekipit drejtues i programit zhvillimor të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit, ka pritur sot në zyrën e sapohapur të këtij programi, ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie si dhe zyrtarë të Ambasadës amerikane dhe të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID).

I shoqëruar nga ekonomisti kryesor i programit, Alban Zogaj, ministri Selimi ka shprehur mirënjohje për interesimin e Ambasadës amerikane për nisjen e këtij programi.

“Qeveria amerikane ka investuar mjete të shumta për zhvillimin e Kosovës, program i ri investimi me të vërtetë përbën një mundësi të veçantë për transformimin e ekonomisë kosovare marrë parasysh metodologjinë e funksionimit të tij por edhe madhësinë e resurseve të disponueshme”, ka thënë ministri Selimi, transmeton Telegrafi.

Shefi i diplomacisë kosovare gjithashtu njoftoi ambasadorin amerikan për progresin në themelimin e Zyrës kosovare të Korporatës për Sfidat e Mijëvjeçarit, si dhe për programin e punës përmes të cilit synohet përshpejtimi i përfundimit të kontraktimit të programit të nismave “Compact”, që synon investime në fushat kritike të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare.

Këto fusha, ndër të tjera, përfshijnë arsimin, sundimin e së drejtës, bujqësinë, teknologjinë e informacionit dhe inovacionin.

Nga ana tjetër, ambasadori Delawie, deklaroi se e ka pritur me pa durim hapjen e zyrës dhe krijimin e ekipit për programin zhvillimor MCC.

Ai ka premtuar mbështetjen e plotë dhe të pa rezervë të Ambasadës amerikane dhe të personelit të USAID-it për zyrën e MCC-së në Kosovë. Ai tha se “zhvillimi i suksesshëm i këtij programi do të sjellë investime të mëdha në fusha kryesore të ekonomisë dhe shoqërisë kosovare”.

Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që ka fituar mundësinë e krijimit të programit të nismave “Compact” të MCC-së. Vlera e fondit mund të arrijë në mbi 400 milionë euro, varësisht nga projektet e dorëzuara. /Telegrafi/

Exit mobile version