Maqedonia ka gjasa reale që të marrë ftesën për nisjen e negociatave për antarësim në Bashkimin Evropian këtë vit, nëse përmbahen në planin e reformave urgjente dhe nëse zgjidhë çështjen e emrit. Kjo sipas ambasadorit bullgar në Maqedoni Ivan Petkov i cili i dha garanca Maqedonisë që shteti i tij amë do ta ndihmojë në procesin e reformave dhe krijimin e lidhjeve me shtetet e tjera ballkanike.
Ivan Petkov, ambasador i Bullgarisë
“Do doja të theksoj se Republika e Bullgarisë mbështetë përpjekjet e Qeverisë së Zoran Zaevit. Institucionet dhe administrata publike, sektori civil dhe mediat, por edhe opozita të kthehen në rrugën euroatlantike. Besojmë se nëse ka një progres të konsiderueshëm në implementimin e reformave urgjente dhe nëse zgjidhet çështja e emrit, Maqedonia ka shans historik për të filluar negociatat për antarësim që këtë vit”
Gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës së Bullgarisë e cila tani kryeson me Këshillin Evropian, Petkov e ka vlerësuar si tejet të rëndësishëm takimin e kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë në Davos dhe ka shpresë se çështja e emrit do të zgjidhet shpejtë.
Ivan Petkov, ambasador i Bullgarisë
“Ne e vlerësojmë shumë marrëveshjen e nënshkruar mes Bullgarisë dhe Maqedonisë pasi që është një garancë për mirëkuptim të ndërsjellë, dhe hap horizonte për benefite të mëtutjeshme. Dje na erdhi një lajm tjetër i shkëlqyeshëm për takimin në Davos, ku Zoran Zaevi dhe Aleksi Cipras kishin takim të shkëlqyer, dhe kjo i rrit shpresat për zgjidhjen e çështjes së emrit. Bullgaria është e gatshme për të mbështetur çdo hap të pajtimit, paqes dhe bashkëpunimit”
Ivan Petkov shpjegoi se prioritetet e presidencës bullgare janë të fokusuara nëzhvillimi ekonomik të Ballkanit Perëndimor, në sigurinë e shteteve, ekonominë dixhitale, në menaxhimin me krizën e refugjatëve por se nuk duhet patur pritje astronomike që gjërat do të lëvizin nga vendi menjëherë. Sygjeroi që vendet e Ballkanit ti shfrytëzojnë fondet IPA për të bërë lidhje infrastrukturore me fqinjët./Shenja/