Telegrafi

Ambasadori britanik thotë se disa shtete kanë tërhequr njohjet për Kosovën

Ambasadori britanik, Ruairi O’Connell gjatë bashkëbisedimit me qytetarë përmes Facebook-ut, është pyetur edhe rreth lajmeve për tërheqjen e njohjes së Kosovës nga disa shtete.

Në përgjigjen e tij, O’Connell ka thënë se fatkeqësisht kjo gjë ka ndodhur.

“Fatkeqësisht, disa vende i kanë tërheq njohjet e tyre për Kosovën. Nuk mendojmë që ka ndonjë justifikim për këto veprime. Kosova i përmbushë të gjitha kriteret për të qenë një shtet i pavarur, ne e kemi pranuar Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran”, është përgjigjur ambasadori.

Ende nuk dihet se për cilat shtete e ka pasur fjalën ambasadori O’Conell kur ka konfirmuar se kanë tërhequr njohjen.

Kujtojmë se kohëve të fundit Serbia ka rritur lobimin te disa shtete për të tërhequr njohjet për Kosovën. Ministria e Jashtme e Kosovës është detyruar shumë herë të demantojë pretendimet e Serbisë. /Telegrafi/