Telegrafi

Ambasadori britanik takon Abdixhikun, flasin për LDK-në dhe rolin si opozitë  

Ambasadori i Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott ka takuar kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ndërsa tha se ka dëgjuar planet e tij për LDK-në dhe rolin si opozitë.

Abbott në një postim në Twitter shkruan se ka uruar Abdixhiku për pozitën në krye të LDK-së.

“Urova Lumir Abdixhikun dhe i dëgjova planet e tij për të ardhmen e LDK-së dhe rolin konstruktiv të opozitës që ata presin ta luajnë”, shkruan Abbott.

Ndryshe, të premten është paraparë takimi ndërmjet liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku  për tu konsultuar rreth formimit të institucioneve.

Ndryshe, edhe LDK ka njoftuar për takimin e Abdixhikut me Abbott.

“Kryetari Abdixhiku e njoftoi Ambasadorin Abbott për synimet dhe programin e tij në LDK dhe qëndrimet e LDK-së rreth situatës aktuale politike në vend dhe formimit të institucioneve të Kosovës. Kryetari Abdixhiku falënderoi Ambasadorin Abbott për mbështetjen që Mbretëria e Bashkuar i ka dhënë  Republikës së Kosovës në të gjitha periudhat”.

“Duke e uruar kryetarin Abdixhiku për detyrën e re, Ambasadori britanik Nicholas Abbott, tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë institucionet e Kosovës, dhe do të jetë partner në projektet që synojnë zhvillimin e Kosovës, forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe fusha tjera. Po ashtu gjatë takimit u diskutua për bashkëpunimin e mirë mes dy vendeve dhe për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi”. /Telegrafi/