Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë, Philip Kosnett kishte kritikuar Ministrinë e Drejtësinë për lirimin e një të dënuari me 15 vjet burgim për krime lufte në “Rastin Kukësi”.
Përmes një postimi në Twitter, Kosnett ka thënë se duhet të ndalet abuzimi i sistemit të drejtësisë.
Megjithatë, menjëherë kishte ardhur reagimi i ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili kishte thënë se Ministria e Drejtësisë nuk ka asnjë kompetencë ligjore për të liruar nga vuajtja e dënimit, apo pezullimi i dënimit për asnjë person.
Dhe gjatë ditës së sotme, përmes një postimi në Twitter, ambasadori Kosnett është sqaruar rreth deklaratës në fjalë.
“SQARIM: Gjykata e Apelit ka urdhëruar Ministrinë e Drejtësisë për të liruar një kriminel luftë të dënuar me 15 vjet burgim në Rastin e Kukësit; ai ka mbajtur më pak se 12 muaj burgim në 3 vjetët e fundit. Abuzimi i rregullt nga kriminelët e lidhur mirë të sistemit të pushimit mjekësor dhe dënimet e pezulluara duhet të ndalen”, ka shkruar Kosnett.
Gjithashtu, ambasadori amerikan ka bërë edhe një postim tjetër ku shkruan: “Në versionin origjinal ky tekst thoshte se Ministria e Drejtësisë kishte nënshkruar lirimin. Amandamentimi i Ligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale bën që ky vendim të merret nga gjykatësit. E vlerësoj mundësinë për të përmirësuar atë që kam shkruar më herët”. /Telegrafi/