Site icon Telegrafi

Ambasadori amerikan: Rusia po përzihet në Ballkan

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Kyle Scott, ka thënë se në Ballkan mund të shohim hapat e përzierjes së Rusisë në politikë.

Ai si shembull mori Malin të Zi, ku Rusia sipas tij është duke u përpjekur që të destabilizojë vendin, sepse Mali i Zi nuk mbështet politikat e saj.

“Në këtë rajon tani shohim hapat me të cilët Rusia po ndërhyn në procesin politik, në anën e atyre që e kundërshtojnë zgjerimin e NATO-s, dhe gjithnjë e më shumë po shohim, si në rastin e Malit të Zi, se Rusia po përdorë mjete të tjera për të destabilizuar vendin, politikën e të cilit nuk e mbështet”, tha Scott në një intervistë për revistën “Danas”, transmeton Express.

Ai vlerësoi se Rusia është i vetmi vend në botë që duket se beson që “dobësia dhe paqëndrueshmëria në fqinjësi është në interesin e saj”, dhe se në këtë drejtim po sillet.

Sipas tij, Rusia po e identifikon zgjerimin e NATO-s si një kërcënim për Rusinë, por në fakt është një reagim i vendeve fqinje me Rusinë të cilat në NATO kërkojnë siguri, sepse Rusia perceptohet si agresive dhe imponuese.

“Ne kemi parë gjithashtu se Rusia, kohë më parë, edhe zgjerimin e BE-së e sheh si një kërcënim. Këtë e pamë në mënyrë të qartë në Ukrainë”, tha Scott.

I pyetur nëse tash niveli i besimit mes tij dhe zyrtarëve serbë është më i ulë, pasi është kritikuar për ndërhyrje në punët e brendshme të Serbisë, Scott tha se ai ka marrëdhënie të forta pune, jo vetëm me kryeministrin Vuçiq, por edhe me të gjithë ministrat, duke përfshirë edhe ata që i kanë kritikuar disa komente të tij.

Sipas tij, jemi dëshmitarë të stabilizimit makroekonomik në Serbi, si dhe rritjes që është mbi normën në Evropë.

“Të gjitha këto janë hapa pozitivë, por para Serbisë është një rrugë e gjatë dhe mendoj se ajo duhet të vazhdojë reformat për të modernizuar ekonominë, harmonizimin e legjislacionit me BE-në ndërsa SHBA do të bëjë gjithçka që mundet për t’a mbështetur atë”, tha ambasadori.

Në pyetën nëse situata e sigurisë në Serbi është përkeqësuar pas gjetjes së armëve në afërsi të shtëpisë së Kryeministrit, ambasadori tha se stabiliteti në rajon është gjithnjë arsye për shqetësim, por në këtë rast nuk i ka të njohura detajet. “Është çështjë e Kryeministrit dhe shërbimeve të sigurisë të Kryeministrit të cilat jam i sigurt se dinë në lidhje me atë çështje shumë më tepër se unë”, përfundoi Scott.

Exit mobile version