Site icon Telegrafi

Ambasadori amerikan në Serbi: S’ka marrëveshje derisa Beogradi fajëson vetëm Prishtinën

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scot, ka deklaruar sot se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet duke fajësuar vetëm njërën palë, por palët duhet të kthehen në tavolinën e negociatave, kurse ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq, ka thënë se Beogradi pajtohet se çdo vendim duhet të merret përmes rrugës paqësore, por, sipas tij autoritetet në Prishtinë, nuk po tregojnë vullnet për kompromis.

Siç raportojnë mediat serbe, ambasadori Scott, sot në një konferencë shtypi, duke iu përgjigjur komenteve të ministrit serb të Punëve të Brendshme, lidhur me situatën në Kosovë, ka thënë se pajtohet se situata është shumë e vështirë dhe e komplikuar.

“Mendoj se nuk është e dobishme që të fajësohet vetëm njëra palë. Ka shumë fajësi në të gjitha anët, por zgjidhja nuk qëndron në atë që të fajësohet vetëm njëra palë, por te kthimi në tavolinën e negociatave”, tha Scott, përcjell Telegrafi.

Sipas ambasadorit amerikan, palët duhet t’iu kthehen bisedimeve serioze, në mënyrë që të zgjidhet çështja e Kosovës dhe të arrihet një marrëveshje e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

“Ky është edhe qëllimi i SHBA-së dhe BE-së dhe ne inkurajojmë të dyja palët që të ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe të vazhdojnë në atë drejtim”, tha ambasadori amerikan, duke shtuar se pret që Qeveria e Kosovës, me përkrahjen e Qeverisë Serbe do të zbulojnë kryerësit e vrasjes së Oliver Ivanoviqit.

Ministri serb, Stefanoviq i ka thënë ambasadorit amerikan se nuk dëshiron të polemizojë me të, sepse konsideron se pavarësisht qëndrimeve të kundërta që kanë SHBA dhe Serbia lidhur me çështjen e Kosovës, për çështjet e stabilitetit, sigurisë dhe jetës normale mendojnë njësoj. /Telegrafi/

Exit mobile version