Telegrafi

Ambasadori amerikan në Beograd: SHBA nuk e ka ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës

Ambasadori amerikan në Serbi, Kyle Scott, duke folur për zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e Kosovës e ku përmendet edhe qëndimi i SHBA ndaj procesit të dialogut, ka thënë se Washingtoni është gati të ndihmojë të dy palët, por për një marrëveshje të mundshme mes Kosovës dhe Serbisë do të deklarohet vetëm atëherë kur do ta shohë atë [marrëveshjen].

Ambasadori amerikan tha se nuk pret që administrata e presidentit Donald Trump të ndryshojë në mënyrë drastike qëndrimin e Washingtonit lidhur me statusin e Kosovës.

Në një intervistë për Radio Beograd, siç transmeton Tanjugu, Scott theksoi se interesat amerikane nuk ndryshojnë nga presidenti në president dhe se qëllimi i SHBA-së mbetet paqja dhe stabiliteti në Ballkan, si dhe transformimi drejt demokracisë dhe forcimi i marrëdhënieve ekonomike, përcjell Telegrafi.

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se pa normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëveshjes afatgjatë midis Kosovës  dhe Serbisë  nuk ka stabilitet dhe përparim në Ballkanin Perëndimor.

Ai gjithashtu thekson se zgjidhja e problemit të Kosovës kërkon udhëheqës të guximshëm dhe gatishmëri për zgjidhje kreative. /Telegrafi/