Telegrafi

Ambasadori amerikan në Beograd: Serbia dhe Kosova t’i kthehen dialogut

Ambasadori i SHBA-së, Kyle Scott, tha sot se situata në procesin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës është shumë komplekse, por nuk është e dobishme që të dyja palët të fajësojnë njëra-tjetrën.

Scott u tha gazetarëve në Pallatin Serbia, se është e nevojshme që të dyja palët të ulen për tryezën e negociatave dhe të normalizojnë dialogun.

“Kjo është ajo për të cilën angazhohen SHBA dhe Bashkimi Evropian, dhe kjo është arsyeja pse ne përqendrohemi në të dy anët”, tha ai.

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, tha se është mirë që SHBA dhe BE kanë bërë thirrje për heqjen e taksave të Kosovës për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, por që nevojitet presion shtesë për ta arritur këtë.

Dialogu nuk ka vazhduar ndërmjet dy palëve që nga nëntori i vitit të kaluar, kur Kosova vendosi taksën për produktet e Serbisë, si kundërpërgjigje ndaj fushatës së egër dhe propaganduese që institucionet e Serbisë ndërmorën ndaj Kosovës.

Ndryshe kryeministri Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se taksa nuk do të largohet derisa Serbia nuk e njeh Kosovën. Në anën tjetër, zyrtarët nga SHBA dhe BE-ja, kanë bërë thirrje që taksa të largohet. /kp/Telegrafi/