Site icon Telegrafi

Ambasadori amerikan: Kosova duhet të përgatitet për fazën e fundit të dialogut me Serbinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë udhëzuar Kosovën që të përgatitet me kujdes dhe kompetencë për dialogun me Serbinë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, ka thënë që dialogu nuk ka alternativë dhe që pala kosovare duhet të jetë e përgatitur për këtë proces.

Delawie ka udhëzuar palën kosovare që të përgatisë një ekip gjithëpërfshirës e konsensual ku do të bëjnë pjesë edhe ekspertë të fushës.

“Dialogu nuk ka alternativë dhe Kosova ka nevojë që të përgatitet. Punoni bashkë për një ekip përfshirës, konsensual dhe me ekspertë dhe rrini të fokusuar qartë në synimet afatgjata të Kosovës”, ka shkruar Delawie në Twitter.

Ndërkaq, lidhur me këtë, pas një takimi të përbashkët, krerët e vendit kanë thënë se ‘udhëheqësit e institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i konfirmojnë Mogherinit përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, për dialog me Serbinë dhe po ashtu përkushtimin dhe angazhimin tyre për përfshirjen e opozitës në dialog, respektivisht krijimin e një ekipi gjithëpërfshirës’.

Ndërkaq, Kosova dhe Serbia po hynë në fazën e fundit dhe më të rëndësishme të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, e cila është thënë që do të përfundojë me një marrëveshje ligjërisht të obligueshme për normalizim./Telegrafi

Exit mobile version