Site icon Telegrafi

Ambasadori Ajeti: Kosovarët në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti ka dhënë një lajm të rëndësishëm për të gjithë bashkatdhetarët.

Ajeti ka bërë të ditur se tashmë shtetasit e Kosovës në Gjermani nuk do të regjistrohen më si shtetas serbë.

Përmes një video-mesazhi, ambasadori Ajeti tha se ky problem ekziston për më shumë se 17 vite.

“Më shumë se 17 vite qindra e mijëra qytetarë të Republikës së Kosovës janë regjistruar me automatizëm në komuna të ndryshme gjermane në mënyrë të padrejtë dhe të gabuar, si shtetas të Serbisë. Kam kënaqësinë që tu ju njoftoi se si rezultat i punës dhe angazhimit tonë diplomatik ky problem i pazgjidhur dhe i trashëguar prej vitesh, nga sot e tutje do të marrë fund”, tha Ajeti.

Ambasadori tha se pas komunikimeve ne Kancelarinë Federale, Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, të Brendshme dhe të Drejtësisë kanë kërkuar që shtetasit e Kosovës të regjistrohen vetëm si shtetas të saj  dhe assesi të evidentohen më si shtetas serb.

Ambasadori theksi se 16 lande gjermane dhe mbi 5200 qendra të regjistrit civil në krejt Gjermaninë e kanë pranuar një qarkore nga Ministria Federale e Punëve të Brendshme të Gjermanisë ku janë njoftuar për këtë ndryshim të rëndësishëm për shtetasit e Kosovës.

Ajeti u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Gjermani tu drejtohen organeve kompetente për të bërë korrigjimin e dokumentacionit. /Telegrafi/

 

Exit mobile version