Të gjitha shtetet evropiane e kanë të ardhmen e përbashkët, përfshirë edhe Kosovën, andaj vendi duhet ta lë pas të kaluarën dhe të fokusohet në ndërmarrjen e hapave konkretë për përshpejtimin e këtij procesi.
Këtë konstatim e kanë bërë ambasadorët e mbledhur në tryezën e diskutimit: “Strategjia e Zgjerimit: Bashkëpunimi rajonal si një faktor kyç për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor”, që u mbajt në UBT.
Në hapje të këtij diskutimi aktual dhe të rëndësishëm për procesin nëpër të cilin po kalon Kosova, rektori i UBT-së, Edmond Hajrizi, tha se secili duhet të ketë obligim dhe përgjegjësi të ofrojë kontribut për ta përafruar vendin me Bashkimin Evropian.
“E ardhmja evropiane e Kosovës është një aspiratë e gjithë shoqërisë kosovare, andaj edhe Strategjia e re për Zgjerim e Bashkimit Evropian duhet të duartrokitet për artikulimin e një vizioni që parasheh për vendin tonë dhe të gjithë rajonin brenda Bashkimit Evropian”, theksoi Hajrizi.
Ndërkaq ambasadorja e Kroacisë në Kosovë, Marija Kapitanovic, u shpreh se procesi nëpër të cilin po kalon momentalisht Kosova është sfidues dhe duhet bërë shumë punë dhe nevojitet angazhim më i madh politik që të arrihet deri tek rezultatet.
“Pika e parë në të cilën Kosova duhet të punojë është harmonizimi i legjislacionit dhe implementimi i tij, si dhe përshtatja e tyre me kërkesat dhe nevojat e BE-së. Sa më shumë marrëveshje të implementohen, vendi mund të lëvizë përpara drejt procesit të integrimit”, vlerësoi ajo.
Sipas saj, në krijimin e reformave për integrim në BE, Kosova duhet ta ndjekë shembullin e Kroacisë, në vitet kur të gjitha partitë politike kroate i kishin lënë anash të gjitha dallimet dhe bënë konsensus për të punuar të gjithë së bashku për përshpejtimin e procesit të integrimit.
Shefja e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou, potencoi se nuk duhet lejuar që dallimet politike të turbullojnë vizionin e vendeve të Ballkanit për një të ardhme të përbashkët në BE.
“Ne e kemi një të ardhme të përbashkët, por duhet të negociojmë dhe negociatat në të shumtën e rasteve janë të vështira, megjithatë çështjet e ashtuquajtura të hapura kanë nevojë për negocim dhe finalizim, në mënyrë që të arrihet deri tek rezultatet”, u shpreh Athanassiadou.
E ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, tha se vonimi i secilit proces është veprim i dëmshëm, andaj, sipas tij, vonesat dhe zvarritjet janë të pakuptimta dhe e ndalojnë përparimin e Kosovës dhe të secilit shtet.
“Sa më tepër që zvarritet procesi i afrimit me BE-në, aq më tepër do të vuajmë në aspektin ekonomik, por në tejkalimin e këtyre vështirësive, rol të madh mund të luajë edhe elita akademike”, sqaroi Minxhozi, nën arsyetimin se për përafrimin e mendimeve politike, paraprakisht duhet të përafrohen mendimet në fusha të tjera, sidomos në arsim.
“Ne duhet ta liberalizojmë mendjen tonë për të qenë në gjendje t’i bëjmë gjërat tjera si duhet.
Bota akademike duhet të lëvizë në hapa dhe studime konkrete drejt BE-së. Kjo organizatë është e ardhmja jonë e padiskutueshme dhe përderisa Ballkani Perëndimor nuk është pjesë, BE mbetet proces dhe projekt i papërfunduar”, konstatoi ai.
Aktiviteti në fjalë u organizua nga Instituti i UBT-së për Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në prag të 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës dhe në një kohë kur vendi po kalon nëpër një situatë sfiduese drejt proceseve t+ integruese.
Instituti i UBT-së për Politikë dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare angazhohet për të promovuar të ardhmen euroatlantike të Republikës së Kosovës dhe e bën këtë duke bashkuar akademinë, studentët dhe politikë-bërësit për të debatuar çështjet më të rëndësishme për procesin e integrimit evropian. Në këtë kontekst, Instituti po organizon sot këtë aktivitet kushtuar rëndësisë së bashkëpunimit rajonal, për rrugën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor në BE.