Telegrafi

Ambasadorët e shkarkuar kthehen në Kosovë në fund të muajit

Fundi i këtij muaji është afati kur 12 ambasadorët e Kosovës nëpër vende të ndryshme të botës të shkarkuar në maj të këtij viti të kthehen në vend.

Ndërkohë zëvendësimi i tyre tashmë është çështje ditësh.

Kështu ka bërë të ditur Ministria e Punëve të Jashtme në një përgjigje për Klan Kosova, ku thuhet se ky proces do të mbyllet brenda pak ditësh.

“Ministria e Punëve të Jashtme ndodhet në fazën finale të përmbylljes së procesit për plotësimin e pozitave të lira të ambasadorëve nëpër misionet e Kosovës nëpër botë. Ky proces do të përmbyllet brenda pak ditësh dhe MPJ do ta informojë opinionin publik rreth këtij procesi”, thuhet në përgjigjen e MPJ.

Në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) që e kanë përcjellur këtë proces diplomatik, kërkojnë nga ekzekutivi që emërimet e reja të jenë me integritet të lartë profesional dhe të mos jenë të lidhur me parti politike.

“Shkarkimi i ambasadorëve është hapi i parë për vlerësimin dhe rishikimin e shërbimit të jashtëm të Kosovës. Mbi të gjitha edhe pse një hap i mirëseardhur, nga ana jonë mendojmë se Qeveria duhet të ketë parasysh dhe të dëshmojë se emërimet e reja që do të ndodhin këto javë, të jenë me integritet të lartë dhe të mos jenë të afiluar me parti politike”, kanë thënë GLPS.