Administrata e pakorruptuar duhet të jetë qëllimi i secilit shtet demokratik ku sundon ligji. Korrupsioni e zbeh besimin në administratën legjitime, transparente dhe përgjegjëse, përcjell Telegrafi maqedoni.
Korrupsioni ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik të shtetit, përparimin dhe sundimin e ligjit, kurse dëmet i pësojnë qytetarët e atij shteti.
Kjo ishte porosia kryesore e konferencës ”Mbështetje për parandalim efikas dhe luftë kundër korrupsionit”, që u organizua nga Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit.
Euroambasadori Samuel Zhbogar tha se duhet një luftë më e ashpër ndaj korrupsionit, kurse ambasadorja gjermane Christine Althauser theksoi se Maqedonia përballet me një krizë politike afatgjatë që mund të zgjidhet vetëm me sundimin e ligjit, drejtësi të njëjtë për të gjithë, por kërkoi mbështetje edhe për PSP-në.
Kryetari i Antikorrupsionit, Igor Tanturovski tha se komisioni nuk mund të procedojë të gjitha lëndët, edhe pse në bombat e opozitës kishte një numër akuzash për korrupsion. Përndryshe, Tanturovski del rrallë në konferenca, ngjashëm si pararendësi i tij, Goran Milenkov.