E marta ishte “ditë e ambasadorëve” në njësitë e Devolli Corporation.
Përfaqësuesit më të lartë diplomatikë të dy shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, Luksembugut dhe Austrisë, të akredituar në Kosovë, kanë qëndruar në fabrikat e korporatës kosovare në takime të ndara, të pritur nga aksionari Shkëlqim Devolli me bashkëpunëtorë.
Shefi i Misionit të Dukatës së Madhe të Luksemburgut, Eric Dietz, ka qëndruar gjatë ditës në fabrikën e miellit M&Sillosi në Xërxë dhe pastaj edhe në fabrikën Comodita Home në Gjakovë.
Gjatë takimit, diplomati Dietz dhe aksionari Devolli, kanë biseduar për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit ndërmjet të njësive të korporatës kosovare me kompanitë e Luksemburgut, raporton Klan Kosova.
Aty është folur konkretisht edhe për disa fusha të caktuara në të cilat do të mund të kishte bashkëpunime të suksesshme mes dy vendeve.
Njësoj, pasditen e së martës, ambasadori austriak në Kosovë, Georg Schnetzer, ka qëndruar në ambientet e Comodita Home.
Ai është njoftuar nga dora e parë se cili ka qenë bashkëpunimi i deritashëm i njësive të Devolli Corporation me kompanitë e ndryshme nga shteti i Austrisë.
Edhe ambasadori Schnetzer edhe aksionari Devolli kanë pohuar që ky bashkëpunim ka hapësirë të zgjerohet edhe më tej, për shkak të shumë të përbashkëtave që lidhin të dyja vendet.
Të dy diplomatët kanë shprehur admirimin e tyre për prodhimet cilësore të fabrikave të korporatës kosovare.
Devolli Corporation edhe gjatë vitit 2023 është renditur si eksportuesi, tatimpaguesi dhe punëdhënësi më i madh në Kosovë.