Site icon Telegrafi

Ambasada me të dhëna të cunguara, nuk dihet kush janë përfaqësuesit diplomatikë të Kosovës

Lëvizja pa viza për kosovarët ka shtuar dukshëm numrin e udhëtarëve që marrin rrugë për në shtete të botës, aq sa edhe nevojën për t’u informuar më shumë për përfaqësitë e Kosovës në vendet pritëse, sidomos në ndonjë rast vështirësie të mundshme.

Për t’i dalë krah qytetarëve kosovarë në rast nevoje si për shembull vdekje, aksidenti ose arrestimi gjatë qëndrimit jashtë vendit, adresa e parë për këtë çështje është Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

MPJD i ka në dorë misionet në vendet me të cilat Kosova ka të vendosura marrëdhënie diplomatike, si ambasada e konsullata, apo në disa shtete të cilat nuk e njohin shtetësinë e Kosovës ka të vendosur mision të posaçëm.

Ministria përkatëse pas ri-strukturimit të ueb-faqes, ka shtuar pjesë të posaçme si “ambasadat” e sportele digjitale për misionet e Kosovës nëpër botë ku ka të dhëna për përfaqësitë.

Megjithatë disa kanë mbetur të papërditësuara, me emrat e disa diplomatëve dhe shefave të konsullatave.

Për katër zyre të posaçme të Kosovës në katër shtete, nuk ka fare të dhëna se kush janë përfaqësuesit diplomatikë, e as për një konsullatë.

Ndërkaq në tri ambasada, ende qëndrojnë emrat e ambasadorëve të kaluar. Njësoj edhe për gjashtë konsullata, ku ende figurojnë emrat e ish-konsujve.

Përpos ambasadave në disa shtete, Kosova në disa qytete të mëdha ku ka më shumë shqiptarë ka të vendosura edhe konsullata. Gjermania prinë me pesë konsullata, nga to katër janë të përgjithshme.

Sidoqoftë në faqet e tyre nuk ka informata në lidhje me përfaqësuesit e Kosovës nëpër konsullata, përveçse në ato zyrtare në Facebook ku figuron numri, lokacioni dhe e-maili.

Të dhënat e përditësuara për përfaqësitë diplomatike, konsullore e të posaçme, Ministria ia ka dhënë KALLXO.com përmes kërkesës për qasje në dokumente publike.

Pa përfshirë Vatikanin dhe Greqinë, aktualisht janë gjithsej 49 ambasada, konsullata e misione të posaçme të Kosovës nëpër botë.

Ndryshe nga të dhënat në faqen e ministrisë, tashmë ambasador në Austri nuk është Lulëzim Pllana të cilit i ka përfunduar mandati në fund të vitit të kaluar, por ministër-këshilltar i përkohshëm është Albinot Bimbashi, deri në zgjedhjen e ambasadorit të ri.

I njëjti problem ekziston edhe për Ambasadën e Kosovës në Sofje të Bullgarisë. Në sportelin digjital akoma figurojnë të dhënat për ish-ambasadorin Delfin Pllana, përderisa që nga viti i kaluar ambasador në këtë vend që akoma se ka njohur Pavarësinë e Kosovës është Haxhi Bajraktari.

Ndërkaq për vendet si Polonia që është shtet në zonën Schengen e qytetarët kosovarë kanë të drejtë të udhëtojnë atje, por tek vitin e kaluar është emëruar konsulli i parë për në Varshavë, Drilon Gashi, nuk ekzistojnë të dhëna fare në faqen e Ministrisë.

Gjithashtu, as për Greqinë e cila akoma nuk ka njohur shtetësinë e Kosovës, megjithatë është shndërruar në një nga lokacionet kryesore për udhëtime turistike nga kosovarët, nuk ka të dhëna. Në Athinë, Kosova ka të vendosur një mision të posaçëm ku përfaqësohet nga i ngarkuari me punë përkohshëm, Fitim Gllareva.

As për Vatikanin që gjendet përskaj Italisë, e këtë vit është vendosur misioni i posaçëm i Kosovës që do përfaqësohet nga Vehbi Miftari, ende nuk ka informata të përditësuara.

Bangladeshi edhe pse akoma nuk hyn në radhën e shteteve ku qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë pa viza, megjithatë pas numrit të madh të qytetarëve të Bangladeshit në Kosovë përgjatë viteve të fundit është rritur nevoja edhe për gazetarë që të kenë më shumë informata për përfaqësinë e Kosovës atje. Edhe për këtë shtet, në ueb faqen e ministrisë ende figuron emri i ish-ambasadorit Guner Ureya, i cili ka përfunduar mandatin në dhjetor të vitit të kaluar.

Në ueb-faqe të Ministrisë nuk ka fare të dhëna për Greqinë, Vatikanin dhe Poloninë në kryeqytetet e të cilave Kosova ka nga një zyrë të posaçme.

Exit mobile version