Telegrafi

Ambasada sllovene lobuese e bizneseve kosovare në BE

Ambasadori i Sllovenisë në Kosovë Miljan Majhen, gjatë vizitës që i bëri Aleancës Kosovare të Bizneseve ka ofruar mbështetje për bizneset kosovare. Ambasadori slloven është pritur nga kryetari i AKB-së Agim Shahini dhe përfaqësues të bizneseve, i cili e ka njoftuar atë lidhur me potencialet, mundësit dhe infrastrukturën të cilat ofron Kosova për investitorët e huaj.

Qëllimi i këtij bashkëbisedimi do të jetë rritja e shkëmbimeve tregtare, eliminimi i barrierave të mundshme si dhe forcimi i bashkëpunimi sidomos ekonomik ndërmjet dy vendeve e tema tjera me interes për rriten e bizneseve.

Kryetari i AKB-së Agim Shahini, tha se Sllovenia dhe Kosova kanë marrëdhënie shumë të mira në të gjitha fushat sidomos në atë ekonomike. “Ne duhet të gjejmë mënyrat që investimet sllovene të vazhdojnë në Kosovë, duke marr parasysh se infrastruktura ligjore, në disa raste është më e mirë se në shumë vende të Bashkimit Evropian dhe investitorët sllovenë dhe të tjerët mund të gjejnë vetën në Kosovë të vijnë e investojnë e bashkë investojnë”, theksoi Shahini.

Kryetari i AKB-së shtoi se bizneset e Kosovës janë të gatshme që të gjejnë mënyrat e bashkëpunimit duke ndarë aksione për investime të përbashkëta.

Ai tregoi se një delegacion i AKB-ja së shpejti do të vizitojnë Slloveninë, për të nënshkruar një marrëveshje me një organizatë të OKB-së me seli në Lubjanë, me qëllim të rritjes dhe promovimit të të ndërmarresisë në Kosovë.

“Me siguri që përvoja sllovene, do të jetë mundësi e mirë për ne, sepse kompanitë dhe korporatat sllovene kanë kaluar fazën e tranzicionin dhe tashmë na duhen standarde më të mira dhe ne duhet ti marrim ato praktika të mira dhe bizneset tona të gjejnë mundësi eksporti në tregje evropiane më mirë dhe më lehtë”, tha Shahini.

Sipas tij, është një mundësi e mirë që Kosova ka politika fiskale më të lira se në Slloveni në drejtim të taksave në korporata 10 për qind, taksat në paga 10 për qind, TVSH 16 për qind dhe këto janë taksat që një kompani e fuqishme sllovene të investoi në Kosovë. Po ashtu edhe fuqia punëtore është e re dhe e përgatitur për treg pune.

“Ne kemi shumë kompani sllovene që janë në Kosovë dhe që janë duke investuar vazhdimisht dhe së shpejti pritet që një investitor i ri slloven të vije në Kosovë për të investuar në fushën energjetike. Ne do
të komunikojmë gjithnjë me ambasadorin për të gjetur mundësi dhe investuar për dy vendet tona”, tha Shahini.

Miljan Majhen, ambasador i Sllovenisë në Kosovë, tha se shteti slloven shpreh gatishmërinë për të
mbështetur bizneset e Kosovës në rrugëtimin drejt integrimeve dhe përmirësimit të mjedisit afarist për bërje të biznesit.

Sipas tij, mbështetje do t’i jepet prodhuesve të Kosovës drejt krijimit të standardeve të reja cilësore. “Ambasada sllovene do të jetë në krahë e funksion të kërkesave të bizneseve të Kosovës që eksportojnë atje dhe do të joshim që edhe investimet sllovene ti sjellim në Kosovë”, tha ambasadori I Sllovenisë në Kosovë.

Ambasadori Miljan Majhen, tha se do të ndihmoi bizneset për nevojat që kanë, duke ofruar fokus të veçantë në pajisjen e bizneseve në kohë të shpejt me viza.

“Sllovenia po angazhohet fuqishëm që Kosova të fitoi sa më shpejt liberalizmin e vizave, por që nuk e dimë kur do të ndodh”, tha ambasadori slloven në Prishtinë. /Telegrafi/