Site icon Telegrafi

Ambasada e SHBA-ve organizon “Maker Faire” në Maqedoni

Ambasada e SHBA-ve në Maqedoni, në partneritet me këndet amerikane në Maqedoni dhe Komunën e Manastirit, do të sponsorizojë “Maker Faire”, për herë të parë në Ballkan.

Ngjarja do të mbahet më 11 maj, nga ora 10:00 deri në 20:00, në Shtëpinë e Kulturës në Manastir, njofton Telegrafi Maqedoni.

Mini Maker Faire në Manastir është festival shpikjesh, kreativiteti e shkathtësish ku do të marrin pjesë 20 organizata “krijimtarësh” nga e tërë Maqedonia, dhe atë mund ta vizitojë e gjithë familja.

Ngjarja do të grumbullojë në një vend entuziastë të teknologjisë, krijues, edukatorë, inxhinierë, klube shkencore, artistë, studentë e nxënës të të gjitha moshave, si dhe bizneset. Ngjarja do të përfshijë demonstrime dhe punëtori, përfshirë printer 3D, robotikë, programim kompjuterik, dhe punë artizanale.

Ky Panair është vazhdimësi e programeve Maker Space të këndeve amerikane në Maqedoni, përmes të cilëve pjesëmarrësit në Maqedoni kanë eksploruar mekanikën, robotikën, elektronikën, dizajnin grafik, dhe aktivitete tjera kreative duke fituar njëkohësisht edhe shkathtësi që mund të përdoren gjatë shkollimit të mëtejshëm, apo në industrinë private.

Maker Faire u mbajt për herë të parë në Kaliforni në vitin 2006. Që prej atëherë, është shpërndarë nëpër tërë botën dhe vetëm në vitin 2017 janë mbajtur mbi 200 ngjarje të tilla.

Ambasadori Baily do të vizitojë ngjarjen nga ora 13:00 deri në 14:00, dhe do të jep deklaratë të shkurtër për media në fund të vizitës./Telegrafi/

Exit mobile version