Site icon Telegrafi

Ambasada e ShBA-së prodhon maska për fytyrë për ta luftuar COVID-19

Këndet Amerikane të Ambasadës së Sh.B.A-ve janë duke u shërbyer me printerin e tyre të teknologjisë 3D për të luftuar COVID-19 në Kosovë, duke prodhuar maska për fytyrë për qendrat lokale të kujdesit shëndetësor.

“Këndi Amerikan në Prizren është duke prodhuar 100 maska për fytyrë duke përdorur printerin e tyre 3D dhe teknologjinë e lapsit 3D për t’i i dhuruar ato në qendrat shëndetësore lokale në koordinim me Drejtorinë e Shëndetësisë së Komunës. Falë mbështetjes nga profesori inxhinierik i Universitetit të Prishtinës Shaban Buza, ata prodhuan me sukses sasinë e parë të maskave praktike, të cilësisë së lartë. Që nga 8 prilli, ata kanë prodhuar 50 maska, duke i dhuruar ato në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Qendrën e Emergjencës, si në Prizren ashtu edhe klinikave private, dentistëve dhe teknikëve laboratorik”, thuhet në njoftimin për media.

Edhe këndi Amerikan në Prishtinë huazoi printerin e tij 3D me pjesë përcjellëse për BONEVET-it në Prishtinë për të mbështetur prodhimin e maskave për fytyrë për punëtorët e shëndetësisë.

“Duke punuar me partnerët e tyre, vullnetarët dhe komunitetin, BONEVET ka rritur prodhimin e maskave për të mbuluar nevojat e spitaleve dhe qendrave mjekësore, policisë dhe shërbimeve të tjera publike në gjithë Kosovën.

Ambasada në Prishtinë falënderon të gjithë partnerët e saj, stafin e tyre dhe të gjithë vullnetarët e Këndeve Amerikane dhe gjetiu, të cilët janë duke punuar shumë për të luftuar COVID-19. Në veçanti, dëshirojmë të shprehim mirënjohje për Besart Osmani, Durim Kolukaj dhe Fikret Kastrioti nga Këndi Amerikan në Prizren për mbështetjen e tyre dhënë shërbyesve të kujdesit shëndetësor lokal. Së bashku mund të mposhtim COVID-19”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version