Telegrafi

Ambasada e SHBA-së në Kosovë: Vaksina antiCOVID-19 nuk ka mikroçip

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë ka reaguar për konspiracionet se vaksina anti-Covid, mund të përmbajë elemente sikurse mirkoçipi.

Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, ambasada ka thënë se vaksinat kundër COVID-19 nuk përmbajnë mikroçipa dhe se ato janë zhvilluar për të luftuar sëmundjet.

“A përmbajnë vaksinat COVID-19 mikroçipa? Jo. Vaksinat COVID-19 nuk përmbajnë mikroçipa. Vaksinat janë zhvilluar për të luftuar sëmundjet dhe nuk administrohen për të ndjekur lëvizjen tuaj. Vaksinat funksionojnë duke stimuluar sistemin tuaj imunitar për të prodhuar antitrupa, saktësisht si do të ishte nëse do të ishit të ekspozuar ndaj sëmundjes. Pas vaksinimit, ju krijoni imunitet ndaj asaj sëmundjeje, pa pasur nevojë të merrni sëmundjen më parë. Mësoni më shumë për përbërësit në vaksinat kundër COVID-19 të autorizuara për përdorim në Shtetet e Bashkuara”, shkruan Ambasada amerikane.

Ide të ndryshme si vendosja e një çipi në trupin e njeriut me rastin e marrjes së vaksinës, janë hedhur poshtë.

Për këtë nga Ambasada e SHBA-së kanë publikuar edhe një raport ku paraqiten informacione për vaksinat.

Për më tepër KËTU mund ta lexoni artikullin në anglisht.

Ndryshe, në 24 orët e fundit u konfirmuan edhe 1.901 raste të reja me koronavirus, bazuar në 10.848 mostra të testuara në laboratorët publikë dhe privatë.

Në 24 orët e fundit, 433 pacientë u shëruan nga koronavirusi, ndërsa raste aktive në Kosovë janë 21.922.

Numri më i lartë i të infektuarve i përket grupmoshës 20-29 vjeç, përkatësisht 416 të infektuar.

Prishtina prin me numrin e rasteve të reja, ku në kryeqytetin e Kosovës në 24 orëshin paraprak janë regjistruar 393 raste.

Që prej 13 marsit 2020 e deri më 24 gusht 2021, Kosova ka regjistruar 132.277 raste me COVID-19, ku 2.356 raste kanë përfunduar me fatalitet./Telegrafi.