Site icon Telegrafi

Ambasada e SHBA-së dhe LDS gëzojnë personat me nevoja të veçanta – dhurohen rreth 300 karroca

E mërkurja i gjeti shumë të gëzuar disa prej personave me aftësi të veçanta, kjo pasi Ambasada Amerikane në Kosovë së bashku me Kishën e Shenjtërove të Ditëve të Mëvonshme (LDS), iu dhuroi atyre rreth 300 karroca të reja për të lëvizur.

Ronald Honey koordinator nga kjo kishë tha për Telegrafin se si partner që janë që shumë vite me Handikosin, dëshirojnë të ndihmojnë njerëzit në nevojë në Kosovë.

“Ne jemi pjesëtarë të kishës së Shenjtorëve së Ditëve të Më vonshme, ne angazhohemi për bamirësi, me kush që të ndihmohen njerëzit në Kosovë. Ne jemi partner me Handikosin dhe jemi donator të karrocave për personat me aftësi të kufizuara, me këtë projekt kemi sjellë dhe do të shpërndajmë rreth 300 karroca. Ne besojmë se të gjithë njerëzit në tokë, janë vëllezër dhe motra. Ne besojmë në Krisht dhe duam të ndihmojmë secilin vëlla/motër që është në nevojë. Ne të njëjtën gjë e bëjmë edhe në botë, i ndihmojmë njerëzit që të bëjnë një jetë produktive”, tha ai.

Ronald Honey koordinator nga LDS

Kurse drejtori i Handikosit Afrim Maliqi, tregoi se qëllimi i këtij projekti është të ndihmohen personat me aftësi të veçanta në Kosovë që sipas tij janë shumë.

“Qëllimi i këtij projekti është që të mbulohen nevojat e personave me aftësi të veçanta në Kosovë, të iu ndihmohet me pajisje ndihmëse që të ua lehtësojnë lëvizjen atyre. Ky është një kontingjent i radhës, të cilin e kemi marr me pajisje ndihmëse nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga donatorët me të cilët bashkëpunojmë qe 10 vjet. Këto pajisje do të iu shpërndahen atyre që kanë nevojë në këtë Kosovën”, deklaroi ai.

Afrim Maliqi – Drejtor i Handikosit

Maliqi tha se antarët dhe vullnetarët e Handikosit janë trajnuar për tri ditë që t’i montojnë dhe t’i përgatisin për përdorim  këto karroca.

“Trajnimi ka zgjatë për tri ditë dhe pjesëtaret dhe vullnetarët e Handikosit janë trajnuar, që t’i montojnë karrocat, t’i kompletojnë, t’i përshtatin dhe t’i raportojnë”, tha Maliqi.

Leonora Haliti – Përfituese e karrocës

Kurse Leonora Halili, u shpreh shumë e lumtur kjo pasi karroca e saj e cila ishte e shkatërruar do të dilte nga përdorimi kjo pasi, ajo ishte përfituese e një karroce të re.

“Ne këtu na kanë ftuar që të marrim karroca. Unë jam shumë e gëzuar që po e marr një karrocë sot, faleminderit prej tyre që po kujdesen për ne invalidëve. Jeta jonë është e vështirë, dimrit nuk mund të lëvizim shumë. Unë më herët nuk kam pranuar karroca, është hera e parë por kjo e imja është shkatërruar shumë. Vetë më kanë ftuar që të vijë këtu dhe të pajisem me karrocë”, u shpreh Halili.

Në Kosovë jetojnë mbi 200 mijë persona me aftësi të kufizuara apo rreth 10 për qind e popullsisë së përgjithshme.

Ndërkaq Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit e ka shpallur vitin 2022 – Vit i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës./Telegrafi/

 

 

Exit mobile version