Site icon Telegrafi

Ambasada e SHBA kërkon që Ministria e Brendshme të jetë funksionale

Ambasada Amerikane nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook, ka shkruar lidhur me luftën kundër krimit të organizuar ku thotë se ka ende punë për të bërë. Gjithashtu ambasada nuk anashkalon as situatën politike sa i përket Ministrisë së Brendshme.

“Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme”.

Ky reagim vjen pas përplasjes së fundit mes Presidentit dhe Kryeministrit për emrin e ministrit të Brendshëm. Meta nuk e dekretoi Sandër Lleshin si ministër, ndërsa Rama e emëroi zëvendësministër me kompetenca ministri.

Reagimi i plotë i ambasadës:

Përgjatë muajve të fundit, jemi inkurajuar nga përparimi që kemi parë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri – rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët.

Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen.

Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme.

Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë.

Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e reformës në drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar. /Telegrafi/

Exit mobile version