Ambasada e Kosovës në Itali, ka njoftuar bashkatdhetarët se janë në pritje të autorizimit për fluturimin Itali-Kosovë.
Ambasada e RKS në Romë dhe Konsullata e Përgjithshme në Milano, bëjnë të ditur se tashmë kanë kryer sipas procedurave përkatëse ligjore të gjithë procesin e mbledhjes dhe dërgimit të listave/kërkesave pranë institucioneve/autoriteteve përkatëse në Prishtinë, të cilët kanë kompetencë ekskluzive për adresimin e tyre, sipas rasteve emergjente dhe disponueshmërisë logjistike të strukturave të destinuara për karantinimin e detyrueshëm që parashikohet me ligj, transmeton Telegrafi.
“Aktualisht, ju informojmë se jemi në pritje të autorizimit për organizimin e fluturimit Itali-Kosovë, i cili do të realizohet brenda muajit maj 2020, detajet si data, aeroporti/qyteti i nisjes dhe orari do të publikohen së shpejti në ueb faqen tonë dhe në platformat tona të rrjeteve sociale”, thuhet në njoftim./Telegrafi/