Ambasada e Kosovës në Itali, ka bërë thirrje të gjithë shtetasve kosovarë që të reduktojnë lëvizjet dhe fluksin në zyrat dhe ambientet publike, duke qëndruar në shtëpi pranë familjeve.
Ambasada e Republikës së Kosovës në Romë, njofton se është në gatishmëri për shtetasit e Kosovës që kanë nevojë për shërbime, vetëm për raste emergjente, transmeton Telegrafi.
Për çdo emergjencë, ambasada ka lutur shtetasit kosovarë të lajmërohen në numrin + 39 327 452 6991 i cili do të jetë në dispozicion 24/7.
“Jemi duke ndjekur me kujdes të gjitha zhvillimet, dhe do t’ju informojmë dhe përditësojmë vazhdimisht përmes faqeve tona zyrtare në Facebook dhe Twitter. Në këto momente duhet të jemi të gjithë më solidarë, ta respektojmë dhe ruajmë shëndetin e njëri-tjetrit. Faleminderit për mirëkuptimin”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, në Itali, numri i vdekjeve nga epidemia e coronavirusit është rritur në mënyrë dramatike në 24 orët e fundit, edhe përkundër futjes në karantinë të Lombardisë dhe rajoneve të tjera në veri të vendit, virusi vdekjeprurës po vazhdon të përhapet.
Vetëm në një ditë, në Itali vdiqën 133 njerëz. Italia është bërë shteti i dytë me më së shumti vdekje dhe të infektuar në botë, menjëherë pas Kinës./Telegrafi/