Gjermania vazhdon të mbetet e para për sa i përket investimeve direkte në Kosovë.
Kjo gjë u bë e ditur përmes një shkrimi nga Ambasada e Kosovës në Berlin, bazuar në të dhënat e Bankës Qendrore për muajin shtator të këtij viti.
“Gjermania mban vendin e parë me investime direkte në Kosovë! Në buletinin e rregullt mujor të publikuar nga Banka Qendrore e Kosovës për muajin shtator 2020, Gjermania vazhdon të mbajë vendin e parë të Investimeve të huaja direkte në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.
Ndër të tjerash u tha se Gjermania vazhdon të jetë një prej shteteve më të rëndësishme për Kosovën, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe si atdheu i dytë i shtetasve kosovarë në këtë vend.
Sipas BQK-së, Investimet e Huaja Direkte (IHD) gjatë vitit 2019 arritën vlerën prej 272 milionë eurove, ku rreth 90 për qind e tyre u evidentua në sektorin e patundshmërive. /Telegrafi/