Ambasada e Francës në Kosovë ka reaguar pas arritjes së Marrëveshjes për Energjinë ndërmjet vendit tonë dhe Serbisë.
Sipas tyre, ky dokument paraqet një përparim në dialog dhe se duhet që të sigurohet zbatimi i plotë i Marrëveshjes.
“Franca mirëpret udhërrëfyesin e miratuar sot në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dokument ky që paraqet përparim konkret dhe domethënës në Dialog. Tani e tutje, duhet siguruar zbatimin e plotë të tij”, thuhet në reagim, përcjell Telegrafi.
Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar Marrëveshjen për çështjen e energjetikës gati një dekadë më parë, përkatësisht në shtator të vitit 2013, e që ishte konfirmuar në gusht të 2015-së. Sipas kushteve, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) do t’i lëshoj licence Elektroseverit.
Deri vonë, qytetarët e komunave veriore të Kosovës, kanë thënë se kanë pranuar fatura për energjinë elektrike nga “Elektrokosmet”, e që konsiderohet kompani ilegale.
Qytetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut – kryesisht serbë – nuk paguajnë për rrymën e shpenzuar tash e më shumë se dy dekada. /Telegrafi/