Ambasada e SHBA-së në Kosovë ka lëshuar një deklaratë lidhur me zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.
Në këtë deklaratë për media thuhet se Qeveria e SHBA-së nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave.
“Qeveria e SHBA-ve nuk parapëlqen dhe nuk mbështetë ndonjë parti politike apo kandidatë në zgjedhjet e kësaj jave. Ne respektojmë të drejtën dhe përgjegjësinë e votuesve të Kosovës që të zgjedhin të ardhmen e tyre”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së.
Për këtë ka reaguar edhe ambasadori amerikan në Kosovë Philip Kosnett.
The U.S. government does not endorse or support any political party or candidates in this week’s election. We respect the right and responsibility of the voters of Kosovo to choose their future. https://t.co/KyL9dbOv0I
— Ambassador Jeff Hovenier (@USAmbKosovo) October 1, 2019
Ndryshe para një muaji shtetet e Quint-it përmes ambasadorëve të tyre në Kosovë kanë dhënë një deklaratë të përbashkët për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë.
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, përmes kësaj deklarate kanë theksuar se zgjedhjet e ardhshme janë mundësi vendimtare për qytetarët e Kosovës që të vendosin për drejtimin e shtetit.
“Qytetarët e Kosovës meritojnë premtimin për të ardhme paqësore dhe të begatë, dhe e vetmja rrugë për të siguruar këtë të ardhme është përmes shprehjes së vullnetit të popullit në këto zgjedhje. Ne përfaqësojmë shtetet që janë thellësisht të përkushtuara ndaj Kosovës demokratike dhe të pavarur. Çdo sugjerim se qeveritë tona përkrahin ndonjë parti apo kandidat të veçantë në zgjedhje është i pasaktë. Sikurse në zgjedhjet e kaluara, ne do të bashkohemi me organet tjera lokale dhe ndërkombëtare për të ndihmuar që të sigurohet një ambient i lirë dhe i drejtë”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës së 30 gushtit, këto shtete deklarojnë se Kosova në të kaluarën ka dëshmuar përvojë në mbajtjen e zgjedhjeve të besueshme dhe të menaxhuara në mënyrë profesionale, edhe pse jo të përkryera.
“Ambasadat tona presin që këto zgjedhje të kenë përmirësime krahasuar me zgjedhjet e kaluara, dhe që të shmangen manipulimet dhe mashtrimet që njollosën zgjedhjet e vitit 2010 (siç e thotë raporti i 2010-ës i Misionit të BE-së të Ekspertëve Zgjedhorë), si dhe frikësimi i kandidatëve dhe votuesve serbë të Kosovës që nuk ishin të rreshtuar me Listën Serbe në vitin 2017 (të përmendur në raportet e vitit 2017 të Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve). Ne refuzojmë trysninë ndaj votuesve, duke përfshirë kërcënimet për punë, dhe refuzojmë blerjen e votës, përfshirë atë përmes premtimit të posteve publike. Ne refuzojmë çfarëdo sulmi ndaj mediumeve, qoftë ai fizik apo në formë të thirrjes për dhunë, dhe refuzojmë tentimet për të etiketuar mediumet me ‘lajme të rreme’. Ne qëndrojmë pranë mediumeve të pavarura dhe shoqërisë civile në ushtrimin e roleve të tyre të monitorimit dhe vëzhgimit publik të procesit zgjedhor, thekson tutje deklarata./Telegrafi/