Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka instaluar një monitorues të cilësisë së ajrit për ta matur ndotjen në ajrin e Prishtinës, ku do të masin sasinë e grimcave në ajër, duke përfshirë pluhurin, pluhurin e dheut, blozën, tymin dhe pikëzat e lëngëta.
Duke e kuptuar se ndotja nuk është problem që ndalet në kufi, Shtetet e Bashkuara po ashtu vëzhgojnë dhe i ndihmojnë disa shtete për ta kuptuar me mire këtë ndotje. Një mjet që përdoret për ta bërë këtë është edhe Indeksi i cilësisë së ajrit (ICA), i cili tregon sa i pastër ose i ndotur është ajri në mjedis, përfshirë edhe efektet shëndetësore që mund t’i sjellë. ICA i kthen të dhënat e cilësisë së ajrit në numra dhe ngjyra për t’iu ndihmuar njerëzve që ta kuptojnë se kur duhet të ndërmarrin veprim për ta mbrojtur shëndetin e tyre.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë tashmë është pjesë e programit për monitorimin e cilësisë së ajrit dhe rezultatet do të publikohen pa u redaktuar për njoftimin dhe përdorimin nga ana e publikut.
Matësi i cilësisë së ajrit, i vendosur nga ambasada do t’i masë grimcat në ajrin e Prishtinës. Pajisja gjendet në Ambasadën Amerikane, kështu që të dhënat në pjesët tjera të qytetit mund të ndryshojnë. Të dhënat do të freskohen çdo orë dhe do të jenë në dispozicion në kohë reale duke filluar nga e mërkura, 30 mars, në web-faqën e AIRnow:
https://airnow.gov/index.cfm?
Baneri i cili ju shpije tek faqja do ti shtohet edhe web-faqës së ambasadës: http://pristina.usembassy.gov/
Matësit e ambasadës do të masin sasinë e grimcave në ajër, duke përfshirë pluhurin, pluhurin e dheut, blozën, tymin dhe pikëzat e lëngëta në 2,5 mikrona (PM2,5) e më pak, të matura në mikrogram për metër kub. Grimca të tilla mund të jenë rezultat i lirimit të gazrave nga veturat dhe termocentralet apo edhe në rast të ngjarjeve si djegja e pyjeve dhe mund të mbesin pezull në ajër për një kohë të gjatë. Grimcat e kësaj madhësie, p.sh. PM2,5 (1/30-ta e diametrit mesatar të fijes së flokut së njeriut), paraqesin rrezikun më të madh për shëndetin.
Kërkimet shkencore kanë gjetur lidhjen mes ndotjes afatgjate me grimca – sidomos me grimca të imëta – dhe problemeve shëndetësore serioze sikurse janë sëmundjet e zemrës dhe mushkërive.
Matësit do të mbledhin të dhëna vazhdimisht dhe nga këto do të nxirren vlerat mesatare dhe do të freskohen për çdo orë në web-faqe, dhe do të shfytëzohen për të llogaritur vlerën e Indeksit të cilësisë së ajrit (AQI) prej 0 në 500 e cila do të publikohet në web-faqën AIRnow. Qëllimi i AQI-së është të shpjegohet se çfarë domethënie ka cilësia e ajrit për shëndetin e popullatës. Për ta kuptuar më lehtë, AQI ndahet në gjashtë kategori:
Çdo kategori i përgjigjet një lloji të ndryshëm të shqetësimit shëndetësor. Gjashtë nivelet e shqetësimit shëndetësor dhe kuptimi i tyre janë si vijon:
•AQI “e mirë” është prej 0 deri 50. Cilësia e ajrit konsiderohet si e kënaqëshme dhe ndotja e ajrit në këtë nivel paraqet rrezik të vogël apo nuk paraqet fare rrezik.
•AQI“mesatare” është prej 51deri 100. Cilësia e ajrit është e pranueshme; sidoqoftë, për disa ndotës mund të ketë brenga mesatare shëndetësore për një numër shumë të vogël njerëzish. Për shembull, njerëzit që janë jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj ozonit mund të përjetojnë vështirësi (simptome) të kanaleve të frymëmarrjes.
•AQI “e pashëndetshme për grupet e ndjeshme” është prej 101 deri 150. Edhepse popullata e pergjithshme nuk do të ishte e prekur me doemos në këtë nivel të AQI njerëzit me sëmundje të mushkërive, të moshuarit dhe fëmijët janë më të rrezikuar nëse i ekspozohen ozonit, kurse personat që vuajnë nga sëmundjet e zemrës dhe mushkërive, të moshuarit dhe fëmijët, janë më të rrezikuar nga prezenca e grimcave në ajër.
•AQI “e pashëndetshme” është prej 151 deri 200. Çdokush mund të fillojë të përjetojë efekte negative shëndetësore, dhe anëtarët e grupeve të ndjeshme mund tëpërjetojnë efekte më të rënda shëndetësore.
•AQI “shumë e pashëndetshme” është prej 201 deri 300. Kjo do të shkaktonte alarm shëndetësor që do të thoshte se çdokush mund të përjetojë efekte të rënda shëndetësore.
•AQI “e rrezikshme” është mbi 300. Kjo do të shkaktonte alarm shëndetësor të nivelit të gjendjes së jashtëzakonshme. Gjasat janë më të mëdha që e tërë popullata do të preket.
Inkurajojmë të gjithë që t’i përdorin të dhënat dhe të punojnë drejt një ambienti më të pastër dhe të sigurt.