Telegrafi

Ambasada amerikane në Turqi paralajmëron qytetarët e saj për sulme të mundshme, pas djegies së Kuranit në tri vende evropiane

Ambasada amerikane në Turqi paralajmëroi sot qytetarët amerikanë për sulme të mundshme ndaj kishave, sinagogave dhe misioneve diplomatike në Stamboll, njoftimi i dytë i tillë në katër ditë, menjëherë pasi ekstremistët e krahut të djathtë dogjën Kuranin në tre vende evropiane.

Ambasada e SHBA në Turqi në paralajmërimin e azhurnuar sa i përket sigurisë, tha se “sulme të mundshme hakmarrëse të menjëhershme terroriste” mund të ndodhin në zonat e Stambollit më të vizituara nga perëndimorët, si rrethet Beyoglu, Galata, Taksim dhe Istiklal, transmeton Telegrafi.

Autoritetet turke po hetojnë rastin, thuhet ndër tjera nga ambasada amerikane, kurse disa ambasada në Ankara, duke përfshirë SHBA-në, Gjermaninë, Francën dhe Italinë, lëshuan paralajmërime sigurie për sulme të mundshme hakmarrëse në objektet fetare pas incidenteve të veçanta në të cilat Kurani, libri i shenjtë i fesë Islame, u dogj në Suedi, Holandë dhe Danimarkë.

Turqia të shtunën paralajmëroi qytetarët e saj për “sulme të mundshme islamofobike, ksenofobike dhe raciste” në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë.

Rasmus Paludan, një aktivist i ekstremit të djathtë, dogji një Kuran përpara ambasadës turke në Stokholm më 21 janar.

Mediat suedeze raportojnë se leja e Paludan për protestën, me vlerë rreth 30 euro, është paguar nga një ish-bashkëpunëtor i kanalit televiziv pro-Kremlinit RT, Chang Frick, një mbështetës i ekstremit të djathtë të Suedisë. /Telegrafi/