Telegrafi

Ambasada amerikane në Prishtinë reagon për rastin e Ilija Ivic: Politika nuk ka vend në sport

Ilija Ivic është njëri nga futbollistët më të përfolur në Kosovë.

Talenti nga Graçanica prej tri viteve është pjesë e Flamurtarit, por së fundmi ai në një intervistë për Telegrafin kishte deklaruar do të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës U19.

Kjo deklaratë e tij kishte bërë bujë të madhe në Serbi, ku pastaj kishin filluar edhe presionet e jashtëzakonshme ndaj tij.

Nëna e tij ishte larguar nga puna si shërbyese civile në Komunën e Graçanicës, ndërsa babai i tij që është mësues ka thënë se e pret fati i gruas të tij, por që do ta përkrahin djalin e tyre.

Tani ka reaguar edhe Ambasada amerikane në Prishtinë, duke thënë se politika nuk ka vend në sport.

“Urime Ilija Ivic! Ai është frymëzim për të gjithë të rinjtë në Kosovë për të punuar zellshëm, për ta zhvilluar talentin dhe për t’i ndjekur ëndrrat. Politika nuk ka vend në sport. Ky është një moment për ta festuar diversitetin dhe një atlet të ri e talentuar të Kosovës”, thuhet në reagimin e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ivic ka kaluar gjitha gjeneratat te klubi kryeqytetas Flamurtari, derisa ka disa ndeshje edhe për ekipin e parë. /Telegrafi/