Ambasada amerikane në Tiranë ka shpërndarë një njoftim, me anë të së cilit ambasadori Donald Lu shprehet se ligji për prokurorin e ri është i qartë.
“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e Shteteve të Bashkuara mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”, thuhet në reagimin e Lu.
Por, çfarë rekomandonte OPDAT
“Në situatën që paraqitet këtu, duket se dispozitat kalimtare përcaktojnë të drejtën dhe detyrimin e Kuvendit të zgjedhë një prokuror të lartë, i cili i plotëson kërkesat e neneve 22 deri 27 të Ligjit, si prokuror i përkohshëm me shumicë të thjeshtë, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nuk ka autoritet kushtetues ose ligjor për Parlamentin që të zgjasë mandatin e Prokurorit të Përgjithshëm aktual, mbas skadimit të mandatit të tij. Përkundrazi, ekziston një dispozitë e qartë që urdhëron emërimin e një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm”.
E, si duhet lexuar Lu në këtë rast?
Duke patur parasysh rekomandimin e OPDAT, deklarata e Ambasadës amerikane thotë mes rreshtave se mandati i Adriatik Llallës si kryeprokuror ka përfunduar dhe tashmë ai duhet të zëvendësohet. Ndryshe, PD dhe LSI kërkojnë të mbajnë ende Adriatik Llallën në krye të Prokurorisë së Përgjithshme.