Telegrafi

Ambasada amerikane: Alarmuam qytetarët para Pashkëve, shkaku i terroristëve

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka treguar se kishte alarmuar shtetasit e saj në Kosovë për të pasur kujdes gjatë festës së Pashkëve në Kosovë, sepse i druhej sulmeve terroriste.

Zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë, Michelle Schohn, ka thënë se thirrjet për të shmangur vendet publike, i bëjnë të gjitha ambasadat amerikane nëpër botë, kur është nevoja.

Sipas saj, njoftimi që Ambasada amerikane kishte bërë para festës së Pashkëve, është bërë me arsye që të inkurajonte qytetarët për të bërë kujdes.

“Terroristët në rajon, edhe më parë, janë përpjekur të sulmojnë caqe të buta dhe për këtë ne kemi dashur të inkurajojmë të gjithë të tregojnë kujdes të shtuar në këto kohëra”, ka thënë Schohn për Gazetën Express.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Tiranë dhe Shkup, përmes faqes zyrtare, kishte këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve të ardhshme fetare (Festën e Pashkëve) dhe gjatë pjesëmarrjes në festivale apo ngjarje të caktuara.