Telegrafi

Amazon u kthen përdoruesve 70 milionë dollarë

Amazon është detyruar të kthejë 70 milionë dollarë për blerjet, të cilat përmes aplikacioneve mobile i kanë bërë fëmijët.

Vendimi është marrë pasi gjiganti i shitjes në internet hoqi dorë nga ankesa ndaj vendimit të vitit të kaluar, me të cilin Amazon u shpall fajtor pasi nuk kishte ndërmarrë masa të mjaftueshme për të njoftuar prindërit se aplikacionet pa pagesë mund të kenë përditësime, të cilat paguhen.

Shuma e përgjithshme e parave të cilat kompania duhet t’i kthejë llogaritet të jetë rreth 70 milionë dollarë, dhe ka të bëjë me blerjet e kryera në periudhën nëntor 2011 deri në maj të vitit 2016.

Detajet për mënyrën e kthimit të parave do të bëhen publike së shpejti, ka bërë të ditur Amazon. /Telegrafi/